e-Reader: Evolucioni dixhital i librit apo një gadget komercial më tepër në jetën tonë të përditshme?

Në epokën dixhitale që po përjetojmë tashmë, jeta jonë e përditshme përbëhet gjithnjë e më shumë nga mjete dhe aparatura moderne teknologjike dhe dixhitale si laptop, netbook, ipod, ipad, iphone,3g, mp3, wi-fi etj. Madje kohët e fundit kanë dalë në skenë fuqishëm edhe celularët e zgjuar (smart phones) të cilët në esencë përmbajnë dhe ofrojnë të gjitha shërbimet e mësipërme në një mikrokompjuter që realizon gjithçka.
Natyrshëm lind pyetja: Përse dhe e-Reader?
Çfarë risie premton një produkt kaq i kufizuar i cili ofron vetëm lexim teksti dhe libra dixhitalë? Me të vërtetë që nuk sjell asgjë të re po të kemi parasysh se këtë mundësi ta ofronin edhe kompjuterat e parë Windows këtu e 20 vjet të shkuara afërsisht. Për më tepër, celularët e zgjuar si dhe kompjuterat e sotshëm te zvogëluar në miniaturë e të transportueshëm lehtësisht ofrojnë edhe një larmi të madhe shërbimesh të tjera dixhitale të kohës.
Për tu dhënë përgjigje këtyre pyetjeve dhe për të dalluar se çfarë ofron realisht produkti e-reader, do të përqendrojmë vëmendjen tonë në një nga modelet e-reader më të kompletuara që qarkullojnë në treg sot: Sony e-Reader PRS 950 SC (Daily Edition)
Në radhë të pare dimensionet e tij janë të tilla që të krijojnë përshtypjen se ke në duar një libër të vërtetë.
Ekrani i tij është krijuar nga një teknologji e re e quajtur e-ink e cila e bën të këndshëm leximin si dhe shplodh sytë ashtu sikurse të lexoje një libër normal. Përdoruesi mund të zgjedhë sipas dëshirës dhe ndjeshmërisë së syve një nga 16 nivelet e ndryshme të ngjyrës gri. Është i mundur gjithashtu edhe leximi nën dritën e fortë si psh nën diell ashtu si edhe me një libër normal. Një veti e rëndësishme kjo po të mendosh se akoma edhe ekranet e fundit moderne të krijojnë dhimbje koke dhe lodhje të syve pas edhe një ore leximi.
Bateria e tij arrin të mbajë të paktën 10 ditë me rrjetin valor Wi-Fi të aktivizuar ose 22 ditë pa të. Në këtë mënyrë kjo bën që mos të shqetësohesh apo stresohesh për të kërkuar priza nëpër mure në vendet që lëviz. Madje mund ta harrosh karikuesin fare në shtëpi para se të nisesh për pushime dhe mos ta kufizosh përdorimin e tij për të ruajtur apo kursyer energjinë.
Memoria e brendshme prej 2 Gb mund të arkivojë rreth 500 libra. Ekziston mundësia e shtesës së memories deri në 32 Gb. Pra mund të themi se mbajmë në xhep një bibliotekë të gjithë.
Duke përdorur edhe rrjetin valor (wireless network) Wi-Fi ose 3G, e-reader mund të lidhet me ReaderStore ose me biblioteka apo librari të tjera online ku mund të blesh ose të marrësh hua libra (si dhe të zbresësh falas aty ku ofrohet) në çdo moment kudo që të ndodhesh. Gjithashtu përdoruesi nëpërmjet lidhjes valore (wireless) Wi-Fi mund të lexojë gazetat e përditshme online (ose të paktën ato që ofrojnë këtë shërbim).
Nga ana e mundësive teknike të përdorimit, e-reader ofron shërbimet dhe mundësitë e një kompjuteri: Njeh dhe lexon formatet më të njohura në treg si pdf, word, rtf, jpeg etj. Gjithashtu luan edhe formatet e muzikës si mp3 dhe aac.
Gjatë leximit ekziston mundësia për të shënuar dhe nënvizuar mbi tekst (highlight), madje mund edhe t’i eksportojmë këto shënime në kompjuter. Dhe siç mund të jetë e pritshme, mund të kërkosh një fjalë ose frazë të çfarëdoshme në gjithë bibliotekën e arkivuar në memorie duke pasur akses të menjëhershëm në atë çka kërkon e të intereson.
Menaxhimi dhe përdorimi i tekstit është shumë fleksibël si pasojë e ekranit me prekje (touch screen) ku shfletimi i faqeve, rrotullimi i librit dhe zmadhimi apo zvogëlimi i gërmave janë si një lojë zbavitëse që përdoruesi i ka në majë të dy gishtave (realisht dhe metaforikisht).

Konkluzioni: Për ata që e duan librin dhe leximin ose për ata që udhëtojnë ose lexojnë në lëvizje është një instrument i çmuar dixhital i cili edhe pse nuk ofron ndonjë gjë të re konkrete nga pikëpamja e zbatimit si shërbim, bashkon në mënyrën më efikase teknologjinë me prakticitetin si dhe mbron e ruan shëndetin e syve edhe pas orëve të stërzgjatura përdorimi dhe leximi.
Pak është?


Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s